Dimal Basha, i zgjedhur së fundmi kryetar i Kuvendit të Kosovës, është vënë në qendër të kritikave pas publikimit të një hulumtimi të mëhershëm akademik, ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) përshkruhet si një milici e nëntokës e lidhur me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.
Hulumtimi, i realizuar në vitin 2012 në bashkëpunim me profesoreshën Jana Arsovska nga John Jay College of Criminal Justice në New York, mban titullin “Globalizimi i Ballkanit Perëndimor: Krimi Transnacional, Islami Fondamental dhe Aleancat e Padrejta”. Në këtë publikim, autorët pretendojnë se UÇK-ja ka rekrutuar ish të burgosur dhe kriminelë të karrierës, si dhe është financuar nga trafikantë droge që blinin armë në emër të saj.
Në kapitullin “Shpërbërja e Jugosllavisë”, Basha dhe Arsovska shkruajnë se pas vitit 1995, në Kosovë u formua një milici e nëntokës e njohur si UÇK, e cila nisi rebelimin e armatosur kundër autoriteteve serbe. Më tej, në pjesën “Diasporat dhe lidhjet kriminale-politike”, autorët përshkruajnë një rrjet të financimit të UÇK-së që përfshinte jo vetëm diasporën shqiptare, por edhe trafikantë droge në Evropë dhe SHBA.
Sipas hulumtimit, trafikantët jo vetëm që kontribuan financiarisht, por edhe dërguan luftëtarë të armatosur për të mbështetur UÇK-në. Nw kwtw hulumtim, Basha citon raste gjyqësore në disa vende evropiane që, sipas tij, sugjerojnë lidhje mes UÇK-së dhe krimit të organizuar.
Në një pjesë të veçantë të hulumtimit, Basha përmend edhe figura të njohura të luftës, përfshirë Xhavit Halitin, të cilin e cilëson si shef të logjistikës së UÇK-së dhe drejtues të Fondit “Vendlindja Thërret”. Sipas autorëve, pas shterimit të fondeve, Haliti dyshohet se është rikthyer te krimi i organizuar.
Gjithashtu, në një episod të përshkruar nga policia belge, thuhet se bosi i “Mafisë shqiptare” kishte përdorur plumba si formë kërcënimi ndaj familjeve shqiptare në diasporë për të siguruar pagesat “vullnetare” për mbështetjen e UÇK-së.
Publikimi i këtij hulumtimi po ngjall reagime të ashpra, veçanërisht për faktin se Dimal Basha është zgjedhur kryetar i Kuvendit me votat e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), parti e dalë nga strukturat e UÇK-së. Ky kontrast mes përmbajtjes së hulumtimit dhe pozicionit aktual politik të Bashës ka ngritur pikëpyetje mbi qëndrimet e tij ndaj historisë së luftës dhe figurave të saj.