Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, dikur ishte bashkautor i një hulumtimi të cilësuar skandaloz, ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës paraqitej si e lidhur me botën e krimit. Në këtë punim, pretendohej se UÇK-ja kishte rekrutuar ish-të burgosur dhe kriminelë, si dhe se ishte financuar nga trafikantë të drogës për blerje armësh.
Bashkëautore e këtij hulumtimi ishte Jana Arsovska, profesoreshë në John Jay College of Criminal Justice në Neë York. Punimi i tyre me titull “Globalizimi i Ballkanit Perëndimor: Krimi Transnacional, Islami Fondamental dhe Aleancat e Padrejta” e përshkruante UÇK-në si një strukturë të nëntokës, të lidhur me rrjete kriminale dhe tregti droge.
Sipas biografisë zyrtare, Arsovska është profesoreshë e asociuar në fushën e sociologjisë dhe kriminologjisë, si dhe ligjëruese në programin e doktoratës për drejtësi penale në Universitetin e Qytetit të Nju Jorkut. Ajo ka botuar gjerësisht mbi krimin e organizuar, korrupsionin, tregjet e paligjshme dhe pasojat e konflikteve.
Arsovska është autore e disa librave ku përfshihet edhe rasti i Kosovës, si: “Dekodimi i krimit të organizuar shqiptar: Kultura, politika dhe globalizimi”, “Rivendosja e drejtësisë pas konflikteve të dhunshme në shkallë të gjerë: Kosova, Kongo dhe rasti izraelito-palestinez” dhe “Rizbulimi i anës tjetër të korrupsionit: Ryshfeti për Paqe në Kosovën dhe Çeçeninë pas konfliktit”.