Nën udhëheqjen e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Konsultativ për Komunitete, ku u trajtuan çështje kyçe që lidhen me nevojat, të drejtat dhe përfshirjen e komuniteteve në jetën institucionale dhe shoqërore të vendit.
Sipas njoftimit nga Presidenca, pjesëmarrësit diskutuan për rëndësinë e pjesëmarrjes së barabartë të komuniteteve në proceset shtetërore, si parakusht për realizimin e të drejtave sociale dhe ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.
U theksua se trajtimi i barabartë i çdo qytetari është themeli i një demokracie funksionale dhe i një shteti që garanton dinjitet për të gjithë.
Anëtarët e Këshillit shprehën mirënjohje për Presidenten Osmani, duke vlerësuar angazhimin e saj të vazhdueshëm në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve, si dhe gatishmërinë për të qenë pranë tyre në adresimin e sfidave dhe avancimin e politikave gjithëpërfshirëse.
Takimi vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të dialogut institucional dhe garantimit të pjesëmarrjes aktive të komuniteteve në jetën publike të vendit.
