Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati.
Takimi u zhvillua në ambientet e Presidencës dhe u përqendrua në zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Në komunikatën zyrtare thuhet se u diskutua për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe shumicës së nënkryetarëve, si dhe për hapat e mëtejshëm institucionalë që do të mundësojnë funksionalizimin e plotë të legjislativit.
Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, ku u rikonfirmua përkushtimi i ndërsjellë për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes strategjik, përfshirë sundimin e ligjit, sigurinë dhe zhvillimin demokratik.
Në prag të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, ku Presidentja Osmani do të udhëheqë delegacionin e Kosovës, u diskutua edhe për agjendën e takimeve dhe pritshmëritë nga pjesëmarrja në këtë forum ndërkombëtar.
Takimi u vlerësua si një dëshmi e vazhdimësisë së partneritetit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, si dhe e mbështetjes së palëkundur amerikane për institucionet demokratike të vendit.