Kanë filluar ankesat e qytetarëve lidhur me shpenzimet e larta për librat shkollorë, duke akuzuar qeverinë se subvencionet e premtuara nuk po mbulojnë realisht nevojat e prindërve.
Ata thonë se vetëm librat e klasës së 9-të kushtojnë 102.10 euro, pa përfshirë fletoret, lapsat, kimikat, bllokat dhe pajisjet e tjera të nevojshme për vitin e ri shkollor.
Ndërkohë, shteti ka depozituar në llogaritë e tyre bankare vetë një shumë prej 80 eurosh, gjë që sipas qytetarëve është e pamjaftueshme.
“A quhet kjo ndihmë, kur prindi prapë duhet të mbulojë vetë diferencën?” – pyet një qytetare e revoltuar.
Përveç barrës financiare, qytetarja shprehet se prindërit po përballen edhe me lodhje shtesë, pasi shpesh duhet të vrapojnë në disa librari për të siguruar të gjithë librat, në varësi të shtëpisë botuese që ka përcaktuar shkolla.
“Në vend të lehtësimit, prindërit po përballen me shpenzime dhe lodhje shtesë,” shtoi ajo.
Ky reagim vjen në kohën kur shumë familje po përgatiten për nisjen e vitit të ri shkollor dhe përveç shtrenjtimeve të shportes ditore tani duhet të ballafaqohen edhe me shtrenjtimin e librave dhe materialeve mësimore./Informim.net
