Reagon Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë për krizën në Gaza: Kërkojmë ndalimin e dhunës dhe lirimin e pengjeve

by engel

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë (KNFSH), përfaqësues i pesë komuniteteve fetare në vend, ka publikuar një deklaratë të fuqishme ku dënon ashpër përshkallëzimin e dhunës në Gaza dhe Bregun Perëndimor, duke i bashkuar zërin thirrjeve ndërkombëtare për ndalimin e menjëhershëm të konfliktit dhe lirimin e të gjithë pengjeve.

Në reagimin e tij zyrtar, Këshilli shpreh shqetësimin e thellë për situatën dramatike humanitare në rajon, duke theksuar se shpërngulja e detyruar e popullsisë, pengimi i ndihmës humanitare dhe shkatërrimi i infrastrukturës bazë përbëjnë “shkelje të rëndë të dinjitetit njerëzor”. KNFSH kërkon mbrojtje të menjëhershme për civilët e pafajshëm, veçanërisht gratë dhe fëmijët, të cilët janë më të prekurit nga konflikti.

banner

Duke vepruar në frymën e solidaritetit ndërfetar dhe përgjegjësisë morale që mbart feja, Këshilli riafirmon se paqja e qëndrueshme mund të ndërtohet vetëm mbi drejtësi, mëshirë dhe respekt të ndërsjellë. Në deklaratë, KNFSH i bën apel udhëheqësve botërorë, organizatave ndërkombëtare dhe njerëzve të vullnetit të mirë që të intensifikojnë përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të siguruar ndihmën e nevojshme humanitare.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë nënvizon se është pjesë e organizatës Religions for Peace Europe dhe mbështet thirrjet e Patriarkanës Latine dhe Ortodokse të Jeruzalemit, si dhe të komuniteteve islame dhe të krishtera nga mbarë bota, për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme në Tokën e Shenjtë.

“Ne nuk mund të qëndrojmë indiferentë përballë vuajtjes njerëzore. Kërkojmë ndalimin e dhunës, lirimin e pengjeve dhe garantimin e jetës dhe dinjitetit për çdo qenie njerëzore,” përmbyllet deklarata e KNFSH.

Deklarata e plotë:

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, si përfaqësues i pesë komuniteteve fetare të vendit, ka ndjekur me vëmendje ndër vite çdo shqetësim kombëtar dhe ndërkombëtar, që ka cenuar paqen sociale dhe bashkëjetesën shoqërore. Sot, ne komunitetet fetare në Shqipëri, bashkojmë zërin tonë me thirrjet ndërkombëtare të organizatës Religions for Peace Europe, institucion ku ne bëjmë pjesë, thirrjes së fundit të Patriarkanës Latine dhe asaj Ortodokse të Jeruzalemit, thirrjes së 80 rabinëve ortodoksë nga e gjithë bota, komuniteteve islame dhe të krishtera nga mbarë bota, OKBsë dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, ku me apelin e tyre, ata shprehin shqetësimin e thellë për situatën dramatike humanitare në Gaza dhe Bregun Perëndimor, duke kërkuar përfundimin e menjëhershëm të luftës dhe lirimit të të gjithë pengjeve.

KNFSH kërkon ndalimin e dhunës dhe garantimin e mbrojtjes së jetës së civilëve të pafajshëm, veçanërisht grave dhe fëmijëve, të cilët janë viktimat më të mëdha të këtij konflikti. Shpërngulja e detyruar e popullsisë, pengimi i ndihmës humanitare dhe shkatërrimi i infrastrukturës bazë nuk mund të justifikohen në asnjë mënyrë dhe përbëjnë një shkelje të rëndë të dinjitetit njerëzor.

Në frymën e solidaritetit ndërfetar dhe të përgjegjësisë morale që feja mbart, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë riafirmon se paqja e qëndrueshme mund të ndërtohet vetëm mbi drejtësi, mëshirë dhe respekt të ndërsjellë.

Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve botërorë, institucioneve ndërkombëtare dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë të shtojnë përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit, për të siguruar menjëherë ndihmën e nevojshme humanitare dhe për të hapur rrugën drejt një paqeje të drejtë e të qëndrueshme në Tokën e Shenjtë dhe përreth saj.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy