Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haki Abazi, ka deklaruar se zgjedhja e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit është tregues i qartë i mënyrës se si Kryeministri Albin Kurti kontrollon institucionet. Sipas Abazit, Basha është “diagnoza e sëmundjes” politike të Kurtit.
Në një intervistë për “Edicionin Special” në Klan Kosova, Abazi tha se Kurti nuk lejon që figura si Glauk Konjufca të marrin pozita udhëheqëse, pasi nuk i përshtaten agjendës së tij.
Ai pretendon se Kurti zgjedh persona që nuk kanë mbështetje të gjerë parlamentare dhe nuk nxisin debat të brendshëm në grupin parlamentar të Vetëvendosjes.
“Mendoj se ka qenë llogaritja që Dimalin nuk do ta votojë opozita, dhe ai do të mbetej në pozitë të ngurtë. Por opozita bëri një lëvizje të papritur,” tha Abazi.
Ai shprehu keqardhje për Bashën, duke thënë se ai është futur në një “akrobacion politik” dhe se goditjet më të rënda do t’i marrë nga vetë makineria politike e Kurtit. Sipas tij, Basha nuk do të lejohet as të fillojë punën si duhet, përderisa agjenda e Kurtit është sabotimi i krijimit të institucioneve.
Abazi shtoi se Kuvendi është “i vdekur” për sa kohë që Kurti e monopolizon funksionimin e tij. Ai akuzoi Kryeministrin se mbështetet në “servilë dhe të pa kurriz” brenda grupit parlamentar, të cilët nuk e vënë kurrë në pikëpyetje drejtimin politik, debatin demokratik apo funksionimin e komisioneve parlamentare.