Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, njëherazi Drejtuesi Politik i qarkut Fier Gazment Bardhi, ka publikuar të tjera pamje nga kamerat e QV në qarkun Fier, ku tregohet sipas tij sesi komisionerë, vëzhgues dhe patronazhistë të PS votojnë në emër të qytetarëve apo kontrollojnë në dhomën e fshehtë sesi votojnë qytetarët
Bardhi në një reagim në rrjetet sociale shprehet se qarku i Fierit është pasqyra më e mirë ku mund të shohë veten task forca SPAK-PP-KQZ për krimet zgjedhore. Ai tha se kjo dëshmon dështimin spektakular të parandalimit të krimeve zgjedhore, por deri më tani edhe të ndëshkimit të tyre
Më poshtë postimi i plotë i Gazment Bardhit:
EPISODI 11 / VOTIM I KONTROLLUAR = FARSË ELEKTORALE
Farsa elektorale nuk mund të mungonte edhe në qendrën e votimit 2848, njësia administrative Tërbuf, bashkia Divjakë, ku pavarësisht pamjeve të cunguara të vëna në dispozicion në KQZ, vendosjes së kamerës në pozicion të papërshtatshëm nga patronazhistë të kamufluar si operatorë të KQZ-së, dhe cilësisë së dobët të xhirimit, shfaqen 34 raste të votimit të kontrolluar.
Kontrolli i votës ishte një nga metodat më të përhapura nga banda elektorale e Belinda Ballukut, në të gjitha qendrat e votimit në qarkun Fier, për ta shndërruar ditën e zgjedhjeve në një farsë të vërtetë elektorale, ku rezultati i subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë ishte paracaktuar para se të hapeshin kutitë.
Guximi për të shkelur ligjin në mënyrë flagrante i komisionerëve, vëzhguesve dhe patronazhistëve, buronte drejtpërdrejtë nga Belinda Balluku dhe banda e saj elektorale, ku fatkeqësisht u përfshinë përveç drejtorëve të korruptuar dhe administratës lokale, edhe Drejtoria Vendore e Policisë Fier. Këta të fundit, megjithëse kishin për detyrë të luftonin krimet zgjedhore, në fakt u kthyen në autorë dhe nxitës të shëmtuar të këtyre krimeve
Qarku i Fierit është pasqyra më e mirë ku mund të shohë veten task forca SPAK-PP-KQZ për krimet zgjedhore. Pasqyrë, e cila dëshmon dështimin spektakular të parandalimit të krimeve zgjedhore, por deri më tani edhe të ndëshkimit të tyre. Pasqyrë, e cila bën me turp cdo prokuror, hetues dhe oficer të policisë gjyqësore që kishte për mision të garantonte integritetin e zgjedhjeve parlamentare, por u shndërrua në fakt në alibinë e pushtetit për farsën elektorale të 11 majit