Egzona Zuzaku Isufi, e diplomuar në Shkenca Politike dhe me Master në Administratë Publike dhe Diplomaci nga Universiteti i Prishtinës, ka shpallur kandidaturën e saj për Asamblenë Komunale të Kamenicës si pjesë e listës së LDK-së.
Pas një mandati të mëparshëm si asambleiste, ajo shprehet e vendosur të vazhdojë angazhimin e saj politik për qytetarët, duke theksuar se Kamenica ka nevojë për një vizion të ri zhvillimor.
Përvoja e saj profesionale është e ndërtuar mbi angazhime në institucione shtetërore të nivelit qendror: si këshilltare në Ministrinë e Forcës dhe të Siguris në kohën e ministrit Haki Demolli, asistente në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal pranë ministres Fatbardha Emini dhe pjesë e Komisionit për Integrime Evropiane nën kryesimin e Armend Zemajt. Këto eksperienca, sipas saj, i kanë dhënë përgatitjen e nevojshme për të përfaqësuar denjësisht interesat e qytetarëve të Kamenicës.
Egzona rikujton se gjatë mandatit të saj si asambleiste në vitin 2021-25, ka përfaqësuar me përkushtim qytetarët e komunës. Por, sipas saj, problemet mbeten të shumta: fshatrat janë të lëna pas dore, infrastruktura rrugore është e dobët, shërbimet publike në shëndetësi dhe higjienë janë të pakta, ndërsa investimet për të rinjtë dhe bujqësinë mungojnë.
“Është e papranueshme që vendimmarrja të bëhet pa konsultim me qytetarët siç ka ndodhur deri tani me qeverosjen e Vetëvendosjes. Kamenica nuk mund të udhëhiqet nga njerëz pa vizion dhe plane konkrete. Është koha për ndryshim,” shprehet Zuzaku Isufi.
Në programin e LDK-së, për të cilin ajo deklarohet e përkushtuar për të jetësuar në përgjithësi, ajo thekson se i ka disa prioritete: përmirësimin e infrastrukturës dhe shpërndarjen e ujësjellësit në fshatra, mbështetje për arsimin dhe përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe mësimdhënësit, avancimin e shërbimeve shëndetësore, si dhe përkrahje më të madhe për bujqit. Gjithashtu, ajo synon të hapë më shumë mundësi punësimi për të rinjtë dhe të angazhohet në mbrojtjen e ambientit, përmes mirëmbajtjes së rrugëve, pastrimit të lumenjve dhe krijimit të hapësirave të gjelbra.
“Në qendër të punës sime do të jetë transparenca dhe llogaridhënia. Qytetarët e Kamenicës meritojnë një përfaqësim të ndershëm dhe një zhvillim të barabartë mes qytetit dhe fshatrave,” thekson Egzona Zuzaku Isufi.