Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar se Gjykata Supreme do të shqyrtojë në themel padinë e ushtruar kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), lidhur me daljen e detyrueshme në tregun e lirë të energjisë.
“Oda Ekonomike e Kosovës njofton se Gjykata Supreme ka vendosur që padia e ushtruar nga OEK ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), lidhur me daljen e detyrueshme në tregun e lirë të energjisë, do të procedohet dhe do të shqyrtohet për vendim meritor. Tashmë është caktuar kolegji i gjyqtarëve që do ta trajtojë këtë padi ndaj ZRrE-së,” thuhet në njoftimin e OEK.
OEK thekson se pret që gjykata të vendosë brenda afatit 60-ditor dhe të anulojë aktet nënligjore të ZRrE-së.
“Pavarësisht se kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e vendimit nuk është aprovuar, me arsyetimin se akti ‘Njoftimi i ZRrE-së’ nuk i plotëson kriteret e një akti nënligjor normativ, çështja do të shqyrtohet në mënyrë meritore për të gjitha aktet e tjera nënligjore të ZRrE-së, përveç këtij njoftimi, sipas afateve ligjore,” thuhet më tej.
Sipas OEK, pritjet janë që gjykata të vendosë brenda 60 ditëve nga dita e parashtrimit të padisë, siç parashihet me ligj, dhe të anulojë të gjitha aktet nënligjore të ZRrE-së me të cilat janë përcaktuar kriteret për daljen në tregun e lirë të energjisë.
“Pavarësisht se masa e përkohshme e sigurisë nuk është aprovuar, Oda Ekonomike e Kosovës vlerëson pozitivisht faktin se lënda do të trajtohet në themel dhe shpreh besimin se vendimi final do të jetë në të mirë të ekonomisë, bizneseve dhe qytetarëve të Kosovës,” përfundon njoftimi.