Analisti politik Milazim Koci ka deklaruar se Kushtetuta e Kosovës nuk përcakton se cilës parti serbe i takon posti i nënkryetarit të Kuvendit, por këtë e saktëson Rregullorja e Punës së Kuvendit.
Sipas tij, kjo rregullore parashikon që kandidati për nënkryetar nga komuniteti serb duhet të propozohet nga shumica e deputetëve të atij komuniteti.
Koci ka theksuar se edhe neni 7 i rregullores, i cili flet për shortin në rast të mungesës së propozimit, nuk e përjashton të drejtën e Listës Serbe, e cila ka nëntë deputetë, për të pasur përfaqësuesin e saj në kryesinë e Kuvendit.
“Mund ta zgjedhin Rashiqin, por mendoj se me ankesën në Gjykatën Kushtetuese, Lista Serbe do ta fitojë pa problem këtë rast,” ka deklaruar Koci në emisionin “Rubikon”.
Ndërkohë, nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka konfirmuar se pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, partia e tij do të dorëzojë një ankesë në Gjykatën Kushtetuese. Ai ka akuzuar institucionet për shkelje të Kushtetutës dhe të Rregullores së Punës së Kuvendit, duke e cilësuar procesin si të padrejtë dhe të motivuar politikisht.