Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka apeluar për përmbylljen sa më të shpejtë të procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar një zgjidhje urgjente dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit.
“Bëj thirrje Kuvendi të konstituohet urgjentisht, që qeveria të zgjidhet po ashtu urgjentisht. Çdo ditë e humbur është ditë e humbur për Kosovën, për popullin e saj, për perspektivën tonë euroatlantike, kështu që shpresoj që të gjendet një zgjidhje në përputhje me Kushtetutën”, deklaroi Osmani.
Pas 57 seancave të mbajtura, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, u zgjodh kryetar i Kuvendit. Po atë ditë, Kuvendi votoi edhe tre nënkryetarë nga partitë shqiptare: Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala, si dhe Emilija Rexhepin nga komunitetet joserbe. Megjithatë, procesi mbetet i papërfunduar për shkak të dështimit në zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.
Kandidati i propozuar nga Lista Serbe, Sllavko Simiq, nuk arriti të sigurojë numrin e nevojshëm prej 61 votash, pavarësisht tri herë kandidimit. Kryetari Basha ka theksuar se, sipas një aktgjykimi të fundit të Gjykatës Kushtetuese, një kandidat nuk mund të propozohet më shumë se tri herë për të njëjtën pozitë. Lista Serbe ka kundërshtuar këtë interpretim, duke argumentuar se vendimi vlen vetëm për pozitën e kryetarit, jo për nënkryetarët.
Në përpjekje për të zgjidhur ngërçin, Basha ka nisur një proces të propozimit me short për nënkryetarin serb, por asnjë nga kandidatët nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme. Në mesin e të propozuarve ishte edhe Nenad Rashiq nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili nuk u votua në dy raunde dhe mund të propozohet vetëm edhe një herë.
Lista Serbe ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar shkelje të rendit kushtetues dhe të drejtave të komunitetit serb.
Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pas zgjedhjes së pesë nënkryetarëve, çka do të mundësonte nisjen e afatit ligjor për formimin e Qeverisë. Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe deri më tani janë mbajtur 59 vazhdime. Një përpjekje e re për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb pritet të zhvillohet nesër.