Saga e Kuvendit të Kosovës… Gogoli shoqëror e politik!

by engel

Shkruan Albert Prenkaj, diplomat i karrierës, ish Ambasador i Kosovës në Romë (Itali)

Ngërçi në Kuvendin e Kosovës rreth Kryeparlamentarit dhe tash, rreth nënkryetarit të komunitetit serb, përsëri ka ngritur interpretime, keqinterpretime, anime, thellim të polarizimit, voluntarizma.

banner

Ajo që duhet të ndodhë është heqja e gogolit shoqëror dhe politik. E ky gogol i krijuar për qëllime politike është loja me kartën etnonacionale që e ka ngritur lartë, Albin Kurti dhe pasuesit e tij e që po i qëndojnë konsekuentë po ashtu, partitë tjera politike në Kuvendin e Kosovës.

Gogol i krijuar është komuniteti serb në Kosovë, përkatësisht subjekti politik me përqindjen më të lartë të përfaqësimit. Ky element i rëndësishëm në jetën politike të Kosovës është bërë mollë sherri elektoral, në mungesë të vullnetit dhe guximit politik të VV-së dhe partive tjera shqiptare. Temë kujdestare elektorale tingëllon, pak a shumë: “je kundër, apo me Listën Serbe?”

U tha ndonjë fjalë nga cilido subjekt politik shqiptar, në përkrahje të komunitetit serb, bazuar në Kushtetutë, digjet politikisht. Sepse subjekti tjetër opozitar do ta kryqëzonte, do të digjej elektoralisht. Këtë diskurs e ka instaluar Albin Kurti.

Diskursi politik me prapavijë krejt elektorale mbështetet te fakti i inkursionit paramilitar të Banjskës dhe udhëheqësit të këtij aksioni, Milan Radojçiq. Me tërë peshën e fajsisë, të cilën, qeveria “Kurti 2”, nuk tregoi aftësi ta kapitalizojë.

Në këtë krizë të konstituimit të Kuvendit dhe mish-mashin e shkaktuar nga Kryeparlamentari Basha, pritet që garantuesi/sja i/e kushtetueshmërisë, Presidentja Osmani, të jetë në nivel të detyrës.

Presidenti/ja, nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj një situate të tillë, kur është në rrezik sistemi politik i Kosovës.

Nuk mund të qëndrojë indiferent Presidentja, para asaj që raportohet moslejim i përfaqësimit të komunitetit serb, ashtu siç garanton Dokumenti i Ahtisarit dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Po nëse niveli më i lartë i përfaqësimit shtetëror, nuk e mbron dhe nuk këmbëngul në kushtetueshmëri, cili është atëherë garanti i Kushtetutës?

Pozita e Presidentit, nuk ushtrohet vetëm në takime protokollare, promovim në katedra universitare, por edhe atëherë kur duhet garantuar sistemi politik, fundamenti shtetëror kushtetues.

Partitë politike po tregojnë konformizëm ndaj temës “gogol”, por a duhet Presidentja, të kalkulojë elektoralisht?

Edhe përkundër verdikteve të Gjykatës Kushtetuese për morinë e thyerjeve kushtetuese nga ana e qeverisë “Kurti 2” dhe tash në proces të konstituimit të Kuvendit, që qartazi flet për idenë e degradimit të dokumentit themelor të kontratës qytetare me shtetin, për të ardhur te momenti kur VV, sipas premtimit të hershëm politik, të nxjerrë kushtetutën e re, të tretën me radhë.

Dhe Presidentja, deklarohet se, nuk do të lëshohet në interpretime të Kushtetutës.

Nuk ka nevojë për interpretim, por për ruajtje të Kushtetutës dhe vlerave fundamentale që rregullon ajo!

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy