Bashkimi Evropian vazhdon të mos ndërmarrë asnjë masë ndëshkuese ndaj Izraelit, pavarësisht akuzave për krijimin e një urie të qëllimshme në Gaza, vrasjen e mbi 63,000 personave dhe njoftimin për ndërtimin e një vendbanimi të ri në Bregun Perëndimor, që sipas kritikëve do të shkatërrojë përfundimisht zgjidhjen me dy shtete.
Ky ishte mesazhi që doli nga takimi informal i ministrave të jashtëm të BE-së të mbajtur të shtunën në Kopenhagë.
Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, deklaroi se ekziston një “shumicë në rritje” për vendosjen e sanksioneve ndaj Izraelit, por shtoi se “është e qartë që shtetet anëtare nuk bien dakord për mënyrën e ushtrimit të presionit ndaj qeverisë izraelite”.
Gjermania dhe Republika Çeke, dy nga aleatët më të ngushtë të Izraelit në BE, kundërshtuan çdo lloj mase ndëshkuese. Ministri gjerman Johann Wadepuhl refuzoi propozimin për pezullimin e pjesëmarrjes së Izraelit në programin shkencor Horizon Europe, duke e cilësuar si “civil” dhe të palidhur me veprimet ushtarake.
Ministri çek Jan Lipavský vuri në dyshim raportet e OKB-së për urinë në Gaza, duke lavdëruar përpjekjet e Kallas për hapjen e korridoreve humanitare.
Austria dhe Italia u shprehën se do të mbështesin vetëm ndëshkimin e disa kolonëve ekstremistë në Bregun Perëndimor. Ndërkohë, ministrja letoneze Baiba Braze mbrojti veprimet izraelite si pjesë e “të drejtës legjitime për vetëmbrojtje”.
Ministrat e jashtëm të Estonisë dhe Lituanisë nuk përmendën fare situatën në Gaza, duke u përqendruar vetëm te agresioni rus në Ukrainë.
Shumica e opsioneve për sanksione – si ndalimi i importeve nga kolonët, embargot e armëve apo ndëshkimi i individëve – kërkojnë konsensus të plotë në BE, çka bllokohet nga vetoja e Çekisë dhe Hungarisë. Edhe opsionet që mund të miratohen me shumicë të cilësuar, si pezullimi i përfitimeve tregtare, nuk kanë mbështetjen e Gjermanisë dhe Italisë.
Ministri danez Lars Løkke Rasmussen propozoi vendosjen e tarifave të rënda për importet nga kolonët izraelitë, por vërejti se pa mbështetjen e Berlinit dhe Romës nuk ka shumicë. Për më tepër, vlera e këtyre importeve është vetëm €200 milionë në vit, krahasuar me €47 miliardë në tregtinë e përgjithshme BE-Izrael.
Ministrat e vendeve si Franca, Suedia, Spanja dhe Irlanda shprehën zemërimin e tyre për situatën në Gaza. Jean-Noël Barrot e quajti urinë “thjesht të papranueshme”, ndërsa Simon Harris nga Irlanda akuzoi Izraelin për “aktivitet gjenocidal”.
Takimi i ardhshëm i ministrave të jashtëm të BE-së është planifikuar për 20 tetor. Harris shprehu dyshime se edhe nëse ndodhin krime të tjera, BE-ja do të vazhdojë të mos reagojë.
“Nëse BE nuk ka vepruar deri tani, kur do ta bëjë? Fëmijët po vdesin nga uria – disa nuk kanë as forcë të qajnë”, tha ai.
Ministri norvegjez Barth Eide paralajmëroi se nëse BE dëshiron të ruajë kredibilitetin në kritikën ndaj Rusisë, duhet të reagojë edhe ndaj “mizorive masive të kryera nga Izraeli”.