Lëvizja Huthi ka konfirmuar mbrëmjen e së shtunës vrasjen e kryeministrit të saj, Ahmed al-Rahavi, dhe disa ministrave të kabinetit gjatë një sulmi ajror izraelit të kryer të enjten e kaluar. Sipas presidencës Huthi, sulmi ndodhi gjatë një takimi qeveritar të planifikuar për vlerësimin e punës vjetore të institucioneve.
Në deklaratën zyrtare thuhet se përveç viktimave, disa ministra të tjerë janë plagosur rëndë dhe po marrin trajtim mjekësor. Sulmi, sipas burimeve të afërta me udhëheqjen Huthi, ka shkaktuar një tronditje të thellë në strukturat politike dhe ushtarake të lëvizjes.
Burime nga mbrojtja izraelite kanë konfirmuar se operacioni u miratua pas marrjes së informacioneve kritike për praninë e zyrtarëve të lartë Huthi në një lokacion të caktuar. “Shkalla e të eliminuarve është një goditje fatale për regjimin Huthi,” deklaroi një zyrtar i lartë izraelit, duke shtuar se publikimi i emrave do të shkaktojë tronditje të gjerë.
Pas sulmit, Sky News Arabia raportoi se udhëheqja Huthi ka shpallur direktiva të reja sigurie, duke ndaluar çdo tubim apo takim të madh të zyrtarëve të lartë. Takimet tashmë do të zhvillohen në hapësira të vogla dhe në lokacione të fshehta, për të shmangur sulme të tjera të mundshme.
Sulmi vjen në një periudhë të tensionuar në rajon, ku përplasjet indirekte mes Izraelit dhe grupeve të mbështetura nga Irani po intensifikohen. Vrasja e al-Rahavit mund të përshpejtojë përshkallëzimin e konfliktit në Jemen dhe më gjerë