Trajneri i Kombëtares, braziliani Silvinjo, doli në konferencën zyrtare për shtyp, ku foli për dy ndeshjet e shtatorit, miqësoren ndaj Gjibraltarit dhe sfidën kualifikuese ndaj Letonisë.
Ndeshjen me Letoninë e cilësoi shumë të rëndësishme për objektivat e skuadrës. “Ne kemi bërë rreth 50% të rrugëtimit. Kemi luajtur 4 ndeshje dhe na kanë mbetur edhe 4 ndeshje të tjera për të luajtur. Po luftojmë kundër kohës. Është një ndeshje shumë e rëndësishme që e luajmë në shtëpi, do të përgatitemi mirë.
Për sa i përket lojtarëve që mungojnë, fola me Ismajlin, i cili tashmë ka ndërruar klub dhe është transferuar te Torino. Ka një dëmtim të lehtë dhe duhet të jetë i qetë për të qenë në 100% e tij. Si çdo transferim i ri, edhe atij i duhet pak kohë për t’u përshtatur me ambientin e ri dhe klubin.
Për sa i përket ndryshimeve në listë, një grup ndryshon kur një lojtar nuk ka se çfarë jep më në Kombëtare dhe kur kam bindjen që është ashtu. Ndryshe, nuk ka pse të ndryshojë asgjë në grup, unë kam besim te të gjithë lojtarët. Nëse marr një shenjë që një lojtar nuk do të stërvitet, atëherë do të jetë jashtë. Unë kam vënë re që të gjithë kanë shumë dëshirë dhe krenari që të vijnë të luajnë me Kombëtaren. Nuk është momenti për të eksperimentuar, sepse kemi ndeshje të fortë përpara. Kemi bërë eksperimente gjatë këtyre dy viteve, por tani nuk është momenti, fokusi është për të fituar ndeshjen”, nënvizoi braziliani.
Përballja me Letoninë
Trajneri Silvinjo foli pastaj për duelin me Letoninë, që skuadra jonë duhet ta fitojë patjetër për të qenë brnda objektivave. “Do të ketë ndryshime për ndeshjen me Letoninë, duke qenë që kemi dhe një ndeshje miqësore para. Kemi lojtarë si Adrian Bajrami, Medon Berisha dhe Pajaziti që kanë luajtur me Kombëtaren U-21, por ende nuk kanë luajtur 45 minuta me Kombëtaren A. Kemi sigurisht dhe shumë lojtarë të tjerë, rreth 20 që jemi pas tyre, por ende nuk ka ardhur momenti i duhur. 4-5 prej tyre janë shumë lojtarë të mirë që po i ndjekim, por ftesa do të vijë në kohën e duhur. Letonia është ekip i fortë, e dimë që është ndeshje e vështirë, e kemi parë ndeshjen e kaluar dhe mund të ketë ndryshime në këtë rast”, shtoi ai.
Zgjedhjet e bëra
“Po, është e vërtetë, kam pasur shumë dilema. Puna me përgatitjen e listës nis shumë kohë më përpara, që nga fillimi i gushtit kur u ktheva nga pushimet. Për sa i përket zgjedhjeve, eksperienca të mëson që një ndeshje si kjo është shumë e rëndësishme. Të sjellësh lojtarë të rinj, ndoshta nuk është momenti i duhur. Duhet të fokusohemi te lojtarët që janë mësuar me stilin e lojës, që marrin përgjegjësi. Ndoshta nuk është momenti i një djaloshi 20-vjeçar, që sigurisht mund të jetë shumë i mirë, por na duhen lojtarë që janë mësuar me skemat tona dhe përgjegjësinë që duhet të marrin. Sigurisht, do të vijë edhe momenti i tyre. Kam folur shumë me stafin, ishte e vështirë, por kemi besim që lojtarët që kemi përzgjedhur do na përgjigjen në fushë”, shtoi më tej trajneri Silvinjo.
Lista e Kombëtares
Portierë: Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Mario Dajsinani.
Mbrojtës: Mario Mitaj, Naser Aliji, Berat Gjimshiti, Marash Kumbulla, Elseid Hysaj, Adrian Bajrami, Arlind Ajeti, Ivan Balliu.
Mesfushorë:Kristjan Asllani, Qazim Laçi, Ylber Ramadani, Ernest Muçi, Jasir Asani, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Medon Berisha, Julian Shehu, Adrion Pajaziti.
Sulmues: Armando Broja, Mirlind Daku, Myrto Uzuni, Rei Manaj.
Trajner: Sylvio Mendes Campos Junior