Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, ka deklaruar se Shqipëria mund të bëhet anëtare e unionit në vitin 2029, nëse kryeministri Edi Rama “vazhdon punën e shkëlqyer”.
Duke folur në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, Kos theksoi se nuk ka rrugë të shkurtër për shtetet kandidate që synojnë integrimin në BE, përfshirë edhe Shqipërinë.
“Kemi çelur dy grupkapituj të tjerë me Shqipërinë dhe kemi rënë dakord me Edin që do të festojmë, së pari në Bruksel dhe më pas vitin tjetër me një ndeshje futbolli mes vendeve anëtare dhe vendeve kandidate në Tiranë. Në 2028 mund të kemi 28 anëtarë, dhe nëse Edi vazhdon të bëjë atë që po bën në mënyrë të shkëlqyer, në 2029 mund të kemi 29 anëtarë. Por unë kam vetëm katër vjet, ndaj duhet të shpejtojmë”, u shpreh Kos.
Ajo nënvizoi se vendet kandidate duhet të realizojnë reformat e nevojshme dhe të kenë udhëheqës që e besojnë fuqimisht procesin e integrimit.
“Ky proces nuk mund të jetë i suksesshëm pa udhëheqës që vendosin reformat mbi interesat e përditshme, që zgjidhin çështjet dypalëshe dhe që bindin qytetarët e vendeve të tyre për rëndësinë e anëtarësimit. Anëtarësimi nuk ka të bëjë vetëm me atë që bëjmë ne në Bruksel, por edhe me mbështetjen publike”, theksoi ajo.
Komisionerja paralajmëroi gjithashtu për ndikimin e forcave të jashtme që, sipas saj, synojnë destabilizimin e Europës.
“Gjeopolitika ka ndryshuar. Kemi forca të jashtme që duan të shohin dështimin e BE-së. Rusia po përpiqet të luftojë kundër qeverisë aktuale në Moldavi dhe ne duhet të qëndrojmë të bashkuar”, shtoi Kos.