Futbollisti i ri i Kombëtares së Kosovës, Leon Avdullahu, ka mbërritur sot në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, ku iu bë një pritje e veçantë nga tifozët dhe përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Mesfushori i talentuar, që luan për Hoffenheimin në Gjermani, zgjodhi Kosovën para Zvicrës, duke e konsideruar vendimin si një hap të zemrës dhe një hap që i jep energji të re Dardanëve.
“Jam shumë i kënaqur, e kam marrë vendimin me zemër dhe jam shumë i lumtur që e kam marrë këtë vendim. Shpresoj të arrij gjëra të mëdha me Kosovën”, tha Avdullahu në fjalët e para pas mbërritjes.
Ai shtoi se projekti sportiv i prezantuar nga Federata ka qenë vendimtar për zgjedhjen e tij: “Më ka pëlqyer projekti sportiv dhe për këtë e kam pasur më të lehtë të vendos.”
Edhe pse ende nuk i njeh nga afër shumicën e futbollistëve të Kosovës, mesfushori theksoi se është i gatshëm të japë maksimumin. “Personalisht nuk i njoh lojtarët e Kosovës, përveç Fisnik Asllanit. Shpresoj që të fitojmë, që ta bëjmë një lojë të mirë. E dimë që Zvicra është favorite, por edhe ne e kemi ekipin e mirë, kështu që do të jetë një lojë e fortë. Do ta jap çdo herë maksimumin për Kosovën.”
Avdullahu nuk la pa përmendur edhe shpresën që një tjetër talent i ri, Albian Hajdari, të ndjekë shembullin e tij: “Shpresoj që edhe Albiani të vijë te Kosova, por ai do të vendosë vetë.”
I pyetur për objektivat me përfaqësuesen, ai u shpreh optimist: “Sa i përket kualifikimit, çdo gjë është e mundur. Jam optimist dhe pozitiv çdo herë.”
Avdullahu është ftuar nga selektori Franco Foda për ndeshjet e shtatorit, ku Kosova do të përballet të premten me Zvicrën – përfaqësuese që deri para pak ditësh e kishte kërkuar mesfushorin në radhët e saj.