Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka ngritur alarmin mbi gjendjen e arsimit publik në Kosovë, duke e cilësuar fillimin e vitit të ri shkollor si një dëshmi të pa përgatitjes institucionale dhe mungesës së përgjegjësisë nga ana e ekzekutivit.
“Fëmijët tanë po kthehen në shkolla që nuk i plotësojnë as kushtet minimale për mësim. Mungojnë mjetet digjitale, kurrikulat moderne dhe mbështetja për mësimdhënësit,” deklaroi Lushaku-Sadriu në një konferencë për media, duke shtuar se mësimdhënësit po përballen me paga të pamjaftueshme dhe kushte të vështira pune.
Një tjetër pikë kritike e saj ishte dështimi i Ministrisë së Arsimit për të siguruar tekstet shkollore për nxënësit. Sipas saj, subvencionet për prindërit janë vonuar për shkak të procedurave teknike të panevojshme, duke e bërë barrën financiare të librave edhe më të rëndë për familjet.
Në fokus të kritikave ishte edhe zbatimi i Ligjit për Fëmijërinë e Hershme, i miratuar në vitin 2023, i cili e bën shkollimin parafillor të detyrueshëm për fëmijët e moshës 4–6 vjeç. “Janë 22 mijë fëmijë që mbeten jashtë subvencionimit, një shkelje e drejtpërdrejtë e obligimeve ligjore të MASHTI-t,” theksoi ajo.
Lushaku-Sadriu kërkoi që Qeveria të ndalë improvizimet dhe të nisë një reformë të thellë në arsim, duke e cilësuar situatën aktuale si “kaotike, të vonuar dhe të pamjaftueshme”.