Rreth 18% e aplikuesve nga diaspora u refuzuan, KQZ sqaron arsyet

by engel

Nga gjithsej 56,778 aplikime për regjistrim për votim me postë nga jashtë Kosovës, 10,094 nuk kanë arritur të përmbushin kriteret e përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Kjo shifër përbën 17.77% të aplikimeve totale.

Sipas të dhënave të KQZ-së, 46,015 shtetas janë regjistruar me sukses për të votuar nga diaspora në Zgjedhjet Lokale 2025.

banner

“Nga data 23 korrik dhe deri më 29 gusht, përmes platformës elektronike të KQZ-së janë pranuar 56,778 aplikime për regjistrim për votim me postë, prej të cilave janë aprovuar 46,015, ndërsa janë refuzuar 10,094 të tjera”, ka deklaruar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Numri i madh i aplikimeve të refuzuara, sipas Elezit, lidhet kryesisht me mungesën e dokumenteve që dëshmojnë adresën e banimit jashtë Kosovës.

“Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë paraqitur njërin nga dokumentet që dëshmon adresën e tyre jashtë Kosovës, si: dokument identifikues me adresën e banimit, vërtetim i adresës nga autoriteti lokal, kontratë qiraje, faturë shërbimesh, dokument bankar ose nga kompania e sigurimit, dokument që dëshmon adresën e personit tek i cili qëndrojnë përkohësisht, apo dëshmi tjetër banimi për raste specifike (rezervim hoteli, konvikti etj.)”, ka sqaruar ai.

Megjithatë, Elezi theksoi se procesi i regjistrimit nuk ka qenë përjashtues. “Çdo aplikues i refuzuar është njoftuar për arsyet dhe për mundësinë e ri-aplikimit, duke paraqitur dokumentet e domosdoshme për regjistrim”, shtoi ai.

KQZ ka bërë të ditur se vetëm shtetasit e Kosovës që janë regjistruar gjatë periudhës 38-ditore do të kenë mundësinë të votojnë përmes postës. Ky proces do të zhvillohet nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025.

Në bazë të rregullores për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, KQZ do t’u dërgojë përmes postës të gjithë votuesve të regjistruar një pako me nga dy fletëvotime. Detyra e secilit votues është që pakon me fletëvotime ta dërgojë më pas në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së, të cilat do të jenë të hapura në shtete të ndryshme të botës, si dhe në Kosovë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy