Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka rrëzuar kërkesën e fundit të Isni Kilajt kundër masës së paraburgimit. Vendimi është marrë më 1 shtator 2025 nga gjyqtarja Michele Picard, raporton Betimi për Drejtësi.
Ky ishte apelimi i katërt i Kilajt, por njësoj si në tri rastet paraprake, edhe kësaj radhe kërkesa e tij u refuzua në tërësi.
Apeli vlerësoi se vendimi i gjyqtares së procedurës paraprake, Marjorie Masselot, për ekzistimin e rrezikut të pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve të mëtejshme është i mbështetur në prova të mjaftueshme dhe të arsyeshme. Sipas Apelit, nuk ka ndonjë tregues se gjyqtarja ka bërë ndonjë gabim faktik lidhur me këtë pjesë.
Në vendim theksohet se është marrë parasysh edhe periudha e kaluar në paraburgim, e cila është balancuar me seriozitetin e akuzave dhe rreziqeve të identifikuara. Për këtë arsye, Apeli ka konfirmuar qëndrimin e gjyqtares së procedurës paraprake se paraburgimi nuk është masë e rëndë dhe mbetet i nevojshëm.
Gjykata ka shqyrtuar edhe masat alternative të propozuara nga mbrojtja, por ka konstatuar se ato nuk janë të mjaftueshme për të adresuar rreziqet përkatëse. Në arsyetim, Apeli ka theksuar se ky vlerësim është në përputhje me jurisprudencën e mëparshme dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
“Si rrjedhojë, Dhoma e Apelit konkludon se Gjykata e Shkallës së Parë nuk ka gabuar në vlerësimin e saj dhe se vazhdimi i paraburgimit për z. Kilaj është i justifikuar”, thuhet në vendim.
Kërkesa e Kilajt u rrëzua në tërësi, ndërsa vendimi për vazhdimin e paraburgimit u konfirmua si përfundimtar dhe hyn në fuqi menjëherë.
Kilaj kishte argumentuar se gjyqtarja e procedurës paraprake kishte përdorur metodologji të gabuar në vlerësimin e rrethanave, duke cenuar të drejtën e tij për liri. Ai kishte pretenduar gjithashtu se gjyqtarja Masselot kishte përsëritur gjetjet e vendimeve të mëparshme pa bërë një rivlerësim të ri.
Në anën tjetër, Prokuroria ka theksuar se të drejtat e Kilajt janë respektuar dhe se vendimi për vazhdimin e paraburgimit është marrë në mënyrë të drejtë.
Konteksti i çështjes
Isni Kilaj, së bashku me Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun, u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe një ditë më vonë u transferuan në objektin e paraburgimit të DhSK-së, në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Po atë ditë, Hashim Thaçit iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit ku po mbahet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ndërkaq, më 9 dhjetor 2024, Hajredin Kuçit iu dorëzua aktakuza dhe fletëthirrja për paraqitjen e parë para gjykatëses së procedurës paraprake.
Sipas aktakuzës, Thaçi – individualisht dhe në bashkëpunim me grupe të tjera – ka ndjekur një model sjelljeje për të penguar zyrtarët e drejtësisë në kryerjen e detyrave të tyre. Në këtë skemë përfshihen:
Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu),
Grupi Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami),
Grupi Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu).
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka marrë pjesë drejtpërdrejt në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë vitit 2023, me qëllim ndikimin tek dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). Këto vizita jo të privilegjuara janë zhvilluar më 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rezultat, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar, tri akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të zyrtarëve të drejtësisë dhe mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa Hajredin Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje.