Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka reaguar ndaj inaugurimit të punimeve për projektin “Bulevardi i Qytetit”, duke e quajtur atë një mashtrim elektoral në prag të zgjedhjeve lokale.
Ismajli tha se qeverisja aktuale komunale ka dështuar gjatë katër viteve të fundit dhe se qytetarët janë dëshmitarë të mungesës së projekteve të përfunduara.
“‘Bulevardi i Qytetit’ është mashtrimi elektoral i radhës. Për katër vite nuk është realizuar asnjë projekt i madh. Ato që i kishim lënë gati, nuk i kanë prekur. Vetëm prezantime 3D, mashtrime të kota dhe fjalë boshe,” deklaroi Ismajli.
Ai përmendi disa projekte të mbetura të papërfunduara, si: stadiumi i qytetit, autostrada e Anamoravës, impianti i ujërave të zeza, unaza e madhe e qytetit, rruga e Prishtinës, palestra “Bashkim Selishta”, palestra në Zhegër, rruga “Hamdi Kurteshi”, rruga e Zabelit dhe rruga e Kumanovës.
Kandidati i LDK-së akuzoi qeverisjen aktuale për keqmenaxhim të financave publike, mungesë transparence, nepotizëm dhe punësime partiake, si dhe dështime në shëndetësi e arsim.
“Rrugët janë në gjendje të mjerueshme, shkollat nuk i plotësojnë kushtet bazike për mësim, ndërsa administrata komunale po zhvendoset nëpër objekte shkollore, duke penguar nxënësit dhe mësimdhënësit,” tha Ismajli.
Ai shtoi se qytetarët e Gjilanit kanë nevojë për veprime konkrete dhe jo për premtime boshe.
“Koha e mashtrimeve ka mbaruar. Qyteti ynë ka nevojë për rrugë të shtruara, shkolla funksionale dhe shëndetësi që punon për njerëzit. Është koha që Gjilani të ringrihet dhe të ecë përpara,” përfundoi Ismajli.