Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka theksuar se koalicioni VLEN, ka mungesë vizioni, guximi dhe vullneti politik për të realizuar ndryshimet kushtetuese dhe për të çuar përpara integrimin evropian të vendit.
Sipas BDI-së, VLEN erdhi në pushtet me premtime të mëdha dhe afate strikte për realizimin e ndryshimeve kushtetuese, por pas një viti në qeverisje, shqiptarët kanë marrë vetëm justifikime. Fillimisht, VLEN ishte zotuar se ndryshimet do të ndodhnin para formimit të qeverisë, më pas brenda 100 ditëve, tre muajve e deri në gjashtë muaj – por asnjë nga këto nuk është realizuar.
“E vërteta është e thjeshtë: ata nuk kanë as vizion, as guxim, as vullnet politik”, thuhet në deklaratën e BDI-së.
Sipas kësaj partie, në vend të reformave dhe përparimit drejt BE-së, VLEN ka hapur rrugë për ndikime të rrezikshme nga Beogradi dhe Moska, duke minuar Marrëveshjen e Ohrit dhe pozitën e shqiptarëve në vend.
BDI ka përmendur disa nga premtimet që, sipas saj, janë shkelur nga VLEN:
2500 vende pune të premtuara – por qytetarët, thotë BDI, kanë marrë vetëm zhgënjim;
Mbështetje financiare për të rinjtë – që nuk është realizuar;
Projekte kombëtare – të zëvendësuara me emërimin e Ivan Stoillkoviqit si zëvendëskryeministër për Marrëveshjen e Ohrit;
Rrugë drejt BE-së – e zëvendësuar me bashkëpunim me figura që promovojnë “Botën Serbe”.
Ish-ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, është cituar në deklaratë duke thënë se shmangia e debatit për BE-në dhe refuzimi i mekanizmave të monitorimit janë pjesë e një strategjie për të fshehur korrupsionin dhe dështimet e qeverisë aktuale.
BDI paralajmëron se tetori do të jetë një moment vendimtar për qytetarët, të cilët, sipas partisë, do të refuzojnë “mashtrimet, dështimet dhe shërbimet e verbra ndaj interesave të huaja” në referendumin popullor.
“Qytetarët meritojnë përfaqësim dinjitoz dhe vizion të qartë europian – jo premtime boshe dhe arsyetime qesharake”, thuhet në deklaratë

