Hasani: Presidentja Osmani s’mund të japë mandat pa u konstituuar Kuvendi

by engel

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se ankesa e Listës Serbe lidhur me zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit, me shumë gjasë, është e bazuar. Ai theksoi se Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë brenda afatit ligjor, duke shtuar se në shikim të parë kërkesa e Listës Serbe është e qartë.

“Sipas Kushtetutës, tri vendimeve dhe rregullores së Kuvendit, ky i fundit konstituohet vetëm pasi të jenë zgjedhur të gjithë nënkryetarët – nga komuniteti shqiptar, serb dhe komunitetet tjera jo-shqiptare. Edhe ata kanë vende të garantuara”, tha Hasani për Euronews Serbia.

banner

Ai paralajmëroi se çdo përpjekje e presidentes Vjosa Osmani për të mandatuar dikë për formimin e qeverisë pa konstituimin e plotë të Kuvendit, do të përbënte shkelje të Kushtetutës.
“Nëse ajo e bën një gjë të tillë, është një shkelje e qartë kushtetuese që përfundon në gjykatë. Osmani nuk ka të drejtë të japë mandat nëse Kuvendi nuk është konstituuar sipas Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Debatet u ndezën pasi kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, të shtunën shpalli të mbyllur procesin e konstituimit, ndonëse nuk ishte zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb. Mbledhja e kryesisë e thirrur më pas dështoi, pasi PDK e LDK nuk morën pjesë.

Sipas Hasanit, deklarata e Bashës nuk ka asnjë peshë juridike.
“Ajo që tha Basha nuk prodhon pasoja juridike. Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm kur zgjidhen të gjithë nënkryetarët, siç ka vendosur Gjykata Kushtetuese në vitin 2014 dhe në dy aktgjykime të këtij viti”, tha ai.

Hasani kritikoi edhe mënyrën e interpretimit të Kushtetutës nga Lëvizja Vetëvendosje, duke thënë se qasja dogmatike rrezikon funksionalitetin e institucioneve. “Sipas asaj logjike, komunitetet jo-shqiptare kurrë nuk do të arrinin të zgjedhin nënkryetarët e tyre, sepse nuk kanë 61 vota”, shtoi ai.

Në përfundim, ai tha se është në dorën e Gjykatës Kushtetuese që të përcaktojë modalitetet se si duhet të veprojë Kuvendi për zgjedhjen e nënkryetarëve nga komuniteti serb dhe ai joshqiptar.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy