Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, ka folur hapur në Forumin Strategjik të Bledit për tensionet politike në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se Serbia ndodhet “në prag të luftës civile” dhe duke rikujtuar sulmin terrorist në Banjskë të shtatorit 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
“E keni Banjskën, e cila në vitin 2023 kaloi pa asnjë vërejtje serioze ose artikulim nga ndonjë në BE, sikur po bëhemi se nuk ka ndodhur. Ky është realiteti. Duhet të jemi me të vërtetë të kthjellët rreth zgjerimit dhe kontekstit global që po ndryshon. Unë jam për zgjerim, por vendet duhet të stabilizohen politikisht,” u shpreh Plenkoviq, duke shtuar se Serbia po përballet me “dy vjet trazira të brendshme më të forta dhe më serioze” që e çojnë drejt një krize të brendshme.
Deklarata e tij ka shkaktuar reagime të menjëhershme në Beograd. Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, reagoi në platformën “X”, por jo për sulmin në Banjskë – temë për të cilën Plenkoviq ngriti shqetësim – por vetëm për paralajmërimin e mundësisë së luftës civile.
“Plenkoviq thotë se Serbia është në prag të luftës civile. E çfarë tjetër? Aq shumë e kanë dashur dhe aq shumë kanë investuar në këtë. E dinë që objektivi i tyre strategjik – që Aleksandar Vuçiq të mos jetë në krye të Serbisë – mund të përmbushet vetëm kështu. Për fat të keq për disa, dhe për fat të madh për Serbinë dhe shumicën e qytetarëve të saj, kjo as nuk është e vërtetë, as nuk do të ndodhë,” shkroi Brnabiq.
Ajo ironizoi më tej me tone folklorike, duke përmendur një këngë serbe dhe duke iu referuar si të dështuara përpjekjet e aktorëve ndërkombëtarë për destabilizimin e Serbisë.
Megjithatë, në reagimin e saj nuk pati asnjë fjalë për sulmin e armatosur në Banjskë, që Plenkoviq e quajti një ngjarje të rëndë, të cilën Bashkimi Evropian nuk e ka trajtuar me seriozitetin e duhur.
Debati i hapur mes liderëve rajonalë nxjerr në pah tensionet e pashuara në Ballkanin Perëndimor dhe dilemat që shoqërojnë procesin e zgjerimit të BE-së, ku përveç përparimeve teknike, në qendër mbetet edhe stabiliteti politik dhe sundimi i ligjit në vendet aspirante.