Pas Kroacisë, edhe Bosnje dhe Hercegovina ka raportuar probleme serioze me një ngarkesë pjeshkësh të eksportuara nga Shqipëria, duke ngritur alarmin për përmbajtje të lartë të pesticidit të ndaluar klorpirifos, substancë e klasifikuar si rrezik i lartë për shëndetin, veçanërisht për fëmijët.
Sipas njoftimit zyrtar të Agjencisë së Sigurisë Ushqimore të Bosnje dhe Hercegovinës, analizat e kryera në kuadër të Programit për Kontrollin e Mbetjeve të Pesticideve zbuluan se pjeshkat shqiptare nuk ishin në përputhje me rregulloret kombëtare dhe europiane për nivelet maksimale të mbetjeve të pesticideve në ushqime me origjinë bimore dhe shtazore.
“Është një rrezik i lartë,” thuhet në deklaratën e agjencisë, duke theksuar se konsumi i pjeshkave të kontaminuara do të tejkalonte ndjeshëm dozën e lejuar akute të referencës për fëmijët.
Ngarkesa problematike përmbante pjeshkë të Klasit II, viti 2025, të eksportuara nga kompania ZHAKU METUSHI, me seli në Suk 1, Strum (Shqipëri) dhe të importuara në Bosnje nga Sejo Prom d.o.o., Sarajevë.
Agjencia ka bërë të ditur se e ka përcjellë rastin për hetime të mëtejshme pranë organeve inspektuese kompetente, për të marrë masa në përputhje me ligjin.
Mediat në Bosnje raportojnë gjithashtu se klorpirifosi nuk figuron në listën e substancave të lejuara për përdorim në bujqësi, çka nënkupton se përdorimi i tij në produktet e importuara është i ndaluar.
Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh ku pjeshkët shqiptare bllokohen në një vend të rajonit, pas njoftimit të autoriteteve kroate për nivel të lartë të nikelit në të njëjtin frut.