Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama foli sot për reformën në sektorin e ujit.
Ai u shpreh se ka pasur investime masive nga ana e qeverisë, teksa mori shembullin e Bashkisë së Vlorës, ku tha se ishte në një situatë të papranueshme.
“Nga ana jonë kemi bërë investime masive nga ana e qeverisë qendrore, flas. Po të shohim hartën sot, nga katër zona që furnizoheshin me ujë në 2013 dhe me humbje në rrjet që shkonte afro 70 për qind, kemi një panoramë tërësisht ndryshe, por ama ndryshe në raport me atë që ishte. Kur volumi i kërkesës për ujë në pikun e sezonit rritet në mënyrë marramendëse, niveli i papërgjegjshmërisë në pushtetin vendor është i frikshëm”, deklaroi 61-vjeçari.
Ai kritikoi bashkitë, të cilët sipas kreut të qeverisë nuk arritën të vendosnin vijën e kuqe mes personave që vidhnin dhe paguanin.
“Vija e kuqe që fatkeqësisht bashkitë se vendosën asnjëherë mes atij që paguan dhe atij që vjedh ujin, ai që paguan ka të gjithë të drejtën pse nuk e merr ujin, ai që e vjedh duhet të penalizohet me heqje lirie siç ndodhi me ata që vjedhin energjinë elektrike, është treguar një përrallë e gjatë që iu hoq liria atyre që nuk paguan energjinë, iu pre energjia, nuk iu hoq liria”, tha Rama. /tch/