Një ngarkesë me pjeshkë të eksportuara nga Shqipëria drejt Kroacisë është ndaluar në kufi, pasi analizat kanë zbuluar përmbajtje të lartë të nikelit, duke e klasifikuar ngarkesën si një rrezik potencial për shëndetin e konsumatorëve.
Lajmi është konfirmuar nga Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin (RASFF) i Komisionit Europian, i cili e regjistroi rastin më 21 gusht 2025.
Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të RASFF, pjeshkët përmbanin nivele të nikelit që tejkalonin kufijtë e lejuar për konsum njerëzor. Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur emrin e kompanisë shqiptare që ka kryer eksportin.
Ky është rasti i dytë brenda këtij viti ku Kroacia refuzon një ngarkesë me produkte bujqësore nga Shqipëria. Më 12 mars 2025, një tjetër ngarkesë me speca u bllokua në të njëjtin kufi, pasi analizat zbuluan nivele shumë të larta të pesticidit flonicamid, i cili ka efekte të rënda toksike në organizmin e njeriut, veçanërisht në mëlçi dhe veshka.
Rastet e përsëritura të refuzimit të produkteve shqiptare në tregun europian ngrejnë shqetësime serioze për kontrollin e cilësisë dhe sigurisë ushqimore në vend. Autoritetet shqiptare ende nuk kanë reaguar publikisht për ngjarjen e fundit.