Gjatë vizitës së tij zyrtare në Pekin, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka zhvilluar një takim bilateral me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në një kohë kur Serbia ndodhet nën presion ndërkombëtar për qëndrimin e saj ndaj Moskës.
Në fjalën e tij, Vuçiq falënderoi Rusinë për mbështetjen e saj të vazhdueshme në mosnjohjen e Kosovës, duke e akuzuar Bashkimin Europian për, siç u shpreh ai, “shkatërrimin e marrëveshjeve të Brukselit”.
“Federata Ruse ka qenë e vendosur në qëndrimin e saj për integritetin territorial të Serbisë gjatë gjithë kohës”, deklaroi Vuçiq në rusisht, sipas mediave serbe dhe burimeve të cituara nga A2CNN.
Ai theksoi gjithashtu se “të gjitha marrëveshjet që kemi nënshkruar me palën tjetër, me garancitë e një pale të tretë, janë shkelur”, duke iu referuar dialogut me Kosovën dhe rolit ndërmjetësues të BE-së.
Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin falenderoi Vuçiqin për qëndrimin e Serbisë kundër sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë, duke nënvizuar edhe njëherë marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve.
Kjo vizitë dhe deklaratat e dy liderëve vijnë në një moment delikat për Serbinë, e cila, megjithëse është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, vijon të ruajë lidhje të forta me Moskën, në kundërshtim me qëndrimet e shumicës së vendeve evropiane.