Bajram Gecaj, këshilltar i kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj premtimeve të kandidatit të PDK-së për kryetar të kryeqytetit, Uran Ismaili, i cili me një qasje populiste paralajmëroi stopimin e lejeve të ndërtimit për gjashtë muaj dhe mbjelljen e mbi 100 mijë drunjve.
Në një shkrim autorial në facebook, Gecaj e cilëson këtë qasje si imitim të modelit të ish-kryetarit Shpend Ahmeti, duke e quajtur “recetë të dështuar” të Vetëvendosjes.
Gecaj këshillon Uran Ismailin se ideja e stopimit të lejeve është në kundërshtim me ligjet, duke theksuar se ligjet dhe rregullat ekzistojnë, dhe se sfida qëndron vetëm te zbatimi i tyre. Ndërsa sa i përket mbjelljes së drunjëve, Gecaj tregon se gjatë mandatit aktual me kryetar Përparim Rama, në Prishtinë janë mbjellë mbi 50 mijë kurora të gjelbra dhe janë shpërndarë nga 60–70 mijë fara me dron, si dëshmi se puna konkrete po bëhet përtej premtimeve.
Gecaj i drejtohet me tone kritike Uran Ismailit, duke i kujtuar se qytetarët e Prishtinës nuk kanë më durim për eksperimente politike e premtime të bukura vetëm në letër. Ai thekson ndalimi i lejeve të ndërtimit që po pretendon Uran Ismaili nuk është zgjidhje, por rrezikon të paralizojë zhvillimin urban, të krijojë kaos administrativ dhe të hapë rrugë për abuzime të mundshme. “Prishtina ka nevojë për menaxhim të mirë, jo për populizëm,” shprehet ai.
Në vend të ndalimit të lëshimit të lejeve, Gecaj e këshillon Ismailin të fokusohet te mënyra se si do t’i zbatojë ligjet ekzistuese, si do të garantojë transparencë në dhënien e lejeve dhe si do të sigurojë cilësi në gjelbërimin e kryeqytetit, e jo të premton bllokime dhe kaos urbanistik.
“Qytetarët presin projekte konkrete e rezultate të matshme, jo vetëm deklarata që tingëllojnë bukur në fushatë,” shkruan ai, duke e ftuar rivalin politik të tregojë plan të qartë dhe vizion realist për Prishtinën.