Profesori dhe agronomi i njohur Zef Gjeta ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me abuzimin e identitetit të tij në rrjet, duke e cilësuar këtë si një përvojë tepër të rëndë personale.
Në një intervistë për emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN, ai tregoi se prej tre muajsh i është vjedhur identiteti dhe janë krijuar profile të rreme në emrin e tij, duke e paraqitur si mjek të profesioneve të ndryshme – nga ortopedi, deri te okulisti.
“Prej tre muajsh më kanë vjedhur identitetin dhe e kanë shpërndarë gjithandej. Më kanë bërë mjek kockash, zemre, sysh… Jam agronom, por sipas tyre, unë paskam shëruar gjithçka! Më kanë klonuar zërin dhe më kanë përdorur në reklama të rreme për ilaçe. Madje disa herë më kanë bërë edhe të vdekur. Kjo po më dëmton shumë”, tha Gjeta.
Ai tregoi se vetëm një ditë më parë kishte marrë gjashtë telefonata, katër prej tyre nga Zvicra, nga njerëz që kërkonin ndihmë mjekësore, duke menduar se ishte vërtet mjek.
“U thosha njerëzve që jam agronom, por ata nuk më besonin. Më kanë bezdisur me këto telefonata. Sot ndodhi një tjetër shpërthim online, sepse u përhap lajmi që ‘ky doktori i famshëm’ kishte konkurruar Pfizer-in!”
Profesori u bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e mashtrimeve dhe të mos u besojnë reklamave të rreme që qarkullojnë në internet, të cilat abuzojnë me identitetet publike për të shitur produkte të dyshimta.
“Ata shikojnë kush është i ndjekur, e klonojnë, dhe më pas përdorin imazhin për të fituar klikime dhe për të shitur ilaçe. U bëj thirrje të gjithëve: mos u besoni!”.