Edhe këtë vit, Ministria e Arsimit ka vendosur që librat shkollorë për nxënësit e klasave 1 deri në 5 të subvencionohen me nga 80 euro për çdo nxënës. Megjithatë, shumë prindër e konsiderojnë këtë proces të vështirë dhe kërkojnë që librat të shpërndahen drejtpërdrejt nga shkollat.
Në një intervistë për Ekonomia Online, nxënësja e klasës së pestë, Melodi Cena, tha se ende nuk i ka marrë librat, ndonëse është e lumtur që ka filluar shkolla dhe ka mësuese të re.
“Jam në klasën e pestë. Më vjen mirë që jam kthyer në shkollë, kam mësuese të re dhe shokë e shoqe të rinj. Por kanë kaluar tre ditë pa libra. E di që është e lehtë t’i blejmë, por do të ishte më mirë që shkolla të na i sillte librat. Nuk kemi pasur vështirësi për t’i gjetur, por prapë është më e lehtë kur i jep shkolla.”
Nëna e saj, Lenduare Cena, thekson se prindërit janë të ngarkuar me punë dhe nuk kanë kohë për t’u marrë me blerjen e librave. Sipas saj, kjo situatë krijon dallime mes nxënësve dhe ndikon negativisht në procesin mësimor.
“Ka shumë prindër që me të vërtetë e kemi pasur të vështirë, sepse punojmë dhe nuk kemi kohë. Do të ishte shumë më mirë që librat t’i jepte vetë shkolla. Kjo situatë është një lloj maltretimi për prindërit. Derisa të dalin paratë, disa prindër që nuk kanë mundësi financiare vonohen, dhe pastaj në shkollë krijohen dallime – disa fëmijë i kanë librat, disa jo. Kjo ndikon keq, madje edhe në formën e bullizmit mes nxënësve. Kur librat janë shpërndarë nga shkolla, gjithçka ka funksionuar më mirë.”
Ajo shton se përveç librave, ka ende materiale të tjera që duhet blerë.
“Sot i bleva librat, por disa prej tyre mungonin në dyqane. Ende nuk i kam blerë fletoret. Edhe këtë e përballojmë si prindër, por shpresoj që vitin tjetër të mos na maltretojnë kështu, sepse është e vështirë. Unë jam nënë, sapo kam lindur, dhe megjithatë më është dashur të vij vetë për të blerë librat. Subvencioni është 80 euro për nxënësit e klasave 1-5, por nuk mjafton për të mbuluar të gjitha shpenzimet.”
Prindërit shpresojnë që në vitet e ardhshme librat shkollorë të shpërndahen drejtpërdrejt nga shkollat, për të lehtësuar barrën financiare dhe organizative që bie mbi ta.