Të martën mbrëma, në veri të Mitrovicës janë shfaqur grafite kërcënuese në alfabetin cirilik, me mesazhin: “Me agimin e ditës, Albin Kurti do të jetë i vdekur”. Autorët e këtyre grafiteve ende nuk janë identifikuar.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, në një intervistë për Ekonomia Online, e cilësoi këtë si një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit në detyrë dhe pjesë të një lufte hibride që, sipas tij, po intensifikohet para zgjedhjeve lokale.
“Tani para zgjedhjeve është një sistem i luftës hibride. Ky është një kërcënim serioz, pasi ka të bëjë me jetën e kryeministrit në detyrë dhe deputetit. Duhet të merret seriozisht, sepse jemi në një situatë të ndjeshme, veçanërisht në pjesën veriore të vendit, ku kemi paraqitje të vazhdueshme të grafiteve dhe mbishkrimeve me përmbajtje kërcënuese, që përbëjnë edhe vepra penale,” tha Ibishi.
Ai theksoi nevojën për masa shtesë të sigurisë, përfshirë përforcimin e sistemit të mbikëqyrjes teknike dhe intensifikimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
“Policia e Kosovës ka arritur të identifikojë njërin prej autorëve, por përveç patrullimit në terren, duhet të ndërmerren edhe masa në sistemin e sigurisë teknike. Tendencat e Serbisë për të ndikuar në zhvillimet në veri janë të vazhdueshme, sidomos tani kur ende nuk janë formuar institucionet e reja – as Kuvendi, as Qeveria”.
Ibishi kërkoi që kërcënimi të adresohet urgjentisht nga institucionet përkatëse, përfshirë Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit.
“Ky është një test serioz për sektorin e sigurisë. Çdo kërcënim duhet trajtuar me përkushtim maksimal dhe në bashkëpunim të ngushtë me faktorët ndërkombëtarë në Kosovë. Serbia vazhdon ta zbatojë luftën hibride në forma të ndryshme, ndaj institucionet tona duhet të jenë të përgatitura dhe të vendosura”.
Ndërkohë, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, deklaroi se aktualisht nuk ka vend për shqetësim, megjithëse hetimet janë në zhvillim dhe ende nuk ka të dyshuar të identifikuar.

