Një ngjarje e pazakontë po tërheq vëmendjen e mediave ndërkombëtare: Mark Zuckerberg po padit Mark Zuckerberg. Por jo, nuk bëhet fjalë për një çmenduri juridike – thjesht për një rast interesant homonimie.
Njëri është i njohur në mbarë botën si CEO i Meta, kompania mëmë e Facebook, Instagram dhe WhatsApp. Tjetri është një avokat amerikan nga Indiana, i specializuar në çështje të falimentimit, që ndodh të ketë të njëjtin emër dhe mbiemër si themeluesi i rrjetit më të madh social në botë.
Shkaku i padisë? Rrjeti social Facebook ka bllokuar për herë të pestë faqen zyrtare të avokatit me arsyetimin se po “imiton një personazh publik” – pikërisht emrin e CEO-së së Meta-s. Faqja është përdorur për promovimin e shërbimeve të tij ligjore dhe, sipas avokatit, ky nuk është vetëm një problem administrativ, por edhe një çështje dëmi ekonomik.
Ai ka deklaruar për mediat lokale se ka shpenzuar 11 mijë dollarë në reklama në Facebook, ndërkohë që faqja i është bllokuar disa herë. Madje, sipas tij, pagesat për reklama janë tërhequr edhe kur faqja ka qenë e mbyllur nga algoritmet e platformës.
Për momentin, avokati Mark Zuckerberg po kërkon kompensim financiar dhe një zgjidhje përfundimtare që të ndalë bllokimet e padrejta, të cilat i kanë dëmtuar imazhin dhe biznesin.