Dy legjendat e boksit, Mike Tyson dhe Floyd Mayweather, kanë nënshkruar kontratat për një duel spektakolar që pritet të zhvillohet në pranverën e vitit 2026.
Lajmi u bë i ditur nga TMZ, ndërsa vetë “Iron Mike” e konfirmoi në rrjetet sociale të enjten në mbrëmje.
Tyson, që do të ngjitet në ring në moshën 59-vjeçare, do të sfidojë kampionin legjendar Floyd Mayweather, i cili në prill të 2026 do të jetë 49 vjeç.
Në një deklaratë për media, Tyson pranoi se kjo është një nga sfidat më të papritura të karrierës së tij. “As unë dhe as bota nuk e kishim menduar se një ndeshje e tillë mund të ndodhte. Por ja ku jemi, është nënshkruar dhe do të ndodhë. Nuk e besoj që Floyd pranon ta bëjë këtë. Për mendimin tim, do të jetë e dëmshme për shëndetin e tij, por ai e do dhe kështu jemi këtu,” tha Tyson.
Ndërkaq, Mayweather, i pamposhtur në karrierën e tij me rekord 50-0, e cilësoi këtë duel si një moment historik për boksin: “Asnjë boksier nuk mund të njollosë trashëgiminë time. Nëse unë hyj në ring, dihet që do të jetë diçka e madhe, legjendare. Ky duel do t’u japë fansave atë që duan.”
Sfida Tyson–Mayweather do të jetë një ndeshje ekshibicion dhe nuk do të përfshihet në statistikat profesionale të tyre. Organizimin e kanë marrë përsipër CSI Sports dhe Fight Sports, ndërsa data dhe vendi i zhvillimit do të bëhen me dije më vonë.
Mayweather zhvilloi ndeshjen e tij të fundit profesionale në vitin 2017, duke mposhtur yllin e UFC-së, Conor McGregor, ndërsa më pas është përballur në një duel ekshibicion edhe me Logan Paul. Nga ana tjetër, Tyson tërhoqi një audiencë rekord prej 108 milionë shikuesish në ndeshjen kundër Jake Paul vitin e kaluar.
Një duel që pritet të hyjë në historinë e sportit, duke rikthyer dy legjenda në ring për të shkruar kapitullin e fundit të karrierave të tyre.

