Autoritetet serbe kanë vendosur zgjatjen me tre muaj të paraburgimit për ish-policin e Njësisë Speciale të Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili po mbahet nën dyshimet për përfshirje në rastin e sulmit të armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023.
Spahiu, sipas autoriteteve serbe, dyshohet për veprën penale “vrasje e rëndë”, përkatësisht për përfshirje në ngjarjet ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe tre sulmues serbë. Por familja dhe avokatët e tij thonë se akuza është e pabazë dhe politikisht e motivuar, duke theksuar se Spahiu ka përfunduar shërbimin në Policinë e Kosovës në nëntor të vitit 2021, shumë përpara incidentit në Banjskë.
Bashkëshortja: Asnjë reagim nga institucionet e Kosovës
Në një deklaratë publike, bashkëshortja e Arbnor Spahiut, Arieta Spahiu, ka bërë të ditur se ka kontaktuar me të gjithë krerët institucionalë të vendit, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.
“Në fillim nuk është trajtuar mirë psikikisht. Janë munduar ta detyrojnë të pranojë diçka që nuk e ka bërë. Kam kontaktuar me presidenten, kryeministrin, ministren Albulena Haxhiu dhe të gjithë të tjerët – por nuk kam marrë asnjë lloj përgjigjeje. Deri më tani na kanë ndihmuar vetëm Policia, populli dhe familjarët”, deklaron ajo.
Thirrje për ndihmë – familja përballet me vështirësi të mëdha ekonomike
Përveç barrës emocionale dhe presionit të pafund të procesit gjyqësor në Serbi, familja Spahiu po përballet edhe me krizë të thellë financiare për shkak të shpenzimeve të larta për avokatë dhe mbrojtje juridike.
Familja kërkon ndihmën e qytetarëve për të përballuar kostot e betejës ligjore. Ata kanë publikuar detajet për mbështetje financiare:
Emri i llogarisë: Arieta Spahiu
IBAN: XK051507011002518930
SWIFT: RBKXKPRXXX
Banka: Raiffeisen Bank Kosovo