Shahini: Bizneset të zhgënjyera me pushtetin, kapitalin po e bartin jashtë Kosovës

by Nexhat

Në emisionin EURO n’T7 me Menduh Abazin është diskutuar për pasojat ekonomike si rrjedhojë e ngërçit politik.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, e ka përshkruar gjendjen ekonomike si shumë të rënduar si rrjedhojë e politikave të gabuara qeveritare.

banner

Sipas tij, janë rreth 700 milionë euro të cilat, në mungesë të Kuvendit, nuk kanë hyrë në ekonominë e vendit dhe kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në stagnimin ekonomik.

Jo vetëm kjo, sipas kreut të AKB-së, mungesa e investimeve kapitale, pastaj ndarja e bizneseve sipas orientimit politik, po e bën toksik ambientin e të bërit biznes në vend.

Si pikën më kulmore të politikave të gabuara qeveritare dhe institucioneve tjera vendore, Shahini e ka cilësuar rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike, e që pasojat, përveç bizneseve, do t’i paguajnë qytetarët e vendit duke paguar çmime më të larta për produktet vendore.

“E keqja e kësaj është që nga zhgënjimi bizneset po vendosin të ikin nga Kosova, që kapitalin e tyre të krijuar me vite ta bartin jashtë vendit. Pra nuk po kemi vetëm largim të qytetarëve, por tani kemi edhe largim të bizneseve me gjithë kapitalin e tyre. Ky është shqetësimi më i madh aktualisht, largimi i kapitalit nga Kosova, që do të thotë varfërim i mëtutjeshëm i vendit. Brenda 10 ditëve ne si AKB do të dalim me një studim ku do të tregojmë saktë se kah po lëviz kapitali i bizneseve vendore në mungesë të qeverisë së vendit”, ka thënë Shahini.

Në anën tjetër, Shahini ka parashikuar që vlera e importeve në vitin 2025 do të jetë mbi 7 miliardë euro, që është vlera më e lartë në historinë e re të Kosovës. Kjo do të thotë varfërim i mëtutjeshëm i vendit, ku përafërsisht kemi 17 milionë euro para të gatshme të qytetarëve që dalin jashtë vendit vetëm brenda një dite.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy