Në zemër të Bujanocit, qytet me shumicë shqiptare, janë shfaqur grafite me emrin e Ratko Mladiqit – gjeneralit serb të dënuar për gjenocidin në Srebrenicë. Përveç emrit të tij, janë vizatuar edhe simbole nacionaliste serbe, duke krijuar një atmosferë të ngarkuar frike dhe pasigurie për komunitetin shqiptar.
Këto mbishkrime, të shfaqura publikisht në vitin 2025, po cilësohen si provokim i rëndë, i papranueshëm dhe kërcënim direkt ndaj sigurisë së bashkëjetesës ndëretnike në Bujanoc.
Ngjarja e fundit nuk është e izoluar. Në gusht, në përvjetorin e rënies së Komandant Lleshit, u thye billboard-i i ngritur në nder të tij, por incidenti kaloi pa asnjë reagim zyrtar – as nga policia, as nga institucionet.
Po ashtu, dy herë te Shtëpia e Shëndetit u shfaqën grafite me thirrje për vrasjen e shqiptarëve. Edhe në këto raste, heshtja institucionale e la incidentin pa pasoja për autorët.
Shfaqja e emrit “РАТКО МЛАДИЋ” me ngjyrë të kuqe, e shoqëruar me simbolin serb të katër C-ve, për shumë banorë shqiptarë është mesazh i qartë: një përpjekje e qëllimshme për frikësim dhe përforcim të narrativës nacionaliste.
“Multietniciteti në letër po shndërrohet në realitetin e ri të ‘serbizimit’ të Bujanocit,” vlerësojnë aktivistët lokalë, duke theksuar se kjo nuk po bëhet me dhunë të hapur, por me mjete të sofistikuara: shpifje ndaj shqiptarëve, përjashtime nga proceset vendimmarrëse, heqje të simboleve kombëtare dhe heshtje ndaj provokimeve të hapura.
Heshtja e autoriteteve dhe mungesa e reagimeve të institucioneve për këto incidente e dëmton rëndë ndjenjën e sigurisë së qytetarëve shqiptarë në Bujanoc. Kjo sjellje shihet si nxitje e mëtejshme e tensioneve ndëretnike dhe minon themelet e bashkëjetesës së vërtetë.

