Ibrahimi: Gjakderdhje financiare në komunat e Kosovës – mbi 60 milionë euro humbje vetëm nga përmbarimet

by engel

Në një intervistë për emisionin “EURO n’T7”, Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka ngritur shqetësime serioze për pasojat ekonomike që po shkakton ngërçi politik dhe mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Sipas Ibrahimit, katërvjeçari i qeverisë Kurti është karakterizuar nga një mungesë e thellë koordinimi mes qeverisë qendrore dhe pushtetit lokal, duke ndikuar drejtpërdrejt në performancën financiare të komunave.

banner

Ai theksoi se për shkak të moszgjidhjes së çështjes së kontratës kolektive, komunat janë detyruar të paguajnë përmbarime të mëdha që kanë dëmtuar rëndë buxhetin lokal.

“Vetëm për 9 muaj, komunave iu janë marrë mbi 73.5 milionë euro përmes proceseve gjyqësore, ku mbi 40 milionë euro janë shkëputur nga investimet kapitale. Në total, gjatë katër viteve, komunat kanë humbur mbi 236 milionë euro, prej të cilave 27% janë vetëm për procedura përmbarimore. Kjo është gjakderdhje e pastër financiare,” deklaroi Ibrahimi.

Ai paralajmëroi se situata mund të përkeqësohet më tej nëse nuk konstituohen institucionet e reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Sipas tij, vonesat në formimin e qeverisë rrezikojnë miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, duke lënë komunat pa fonde për investime, pa paga dhe pa mundësi për të realizuar projekte të nevojshme për qytetarët.

“Në janar mund të mbesim pa buxhet, pa investime, pa paga. Askush nuk po merret seriozisht me këtë situatë që po e varfëron pushtetin lokal dhe po e paralizon zhvillimin në nivel komunal,” shtoi ai.

Ky paralajmërim vjen në një kohë kur tensionet politike po reflektohen gjithnjë e më shumë në menaxhimin financiar të vendit, duke rritur presionin mbi institucionet për të gjetur zgjidhje të shpejta dhe efektive.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy