Instituti i Kosovës për Drejtësi (KDI) ka ngritur alarmin për pasojat e mosformimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, duke paralajmëruar një bllokadë serioze financiare dhe politike që mund ta godasë vendin në muajt në vijim.
Sipas hulumtuesit të KDI-së, Naim Jakaj, nëse deri më 31 tetor nuk formohet një qeveri funksionale që procedon buxhetin për vitin 2026 në Kuvend, Kosova rrezikon jo vetëm destabilizim të financave të brendshme, por edhe humbje të fondeve ndërkombëtare.
“Qeveria e re ka obligim ligjor ta miratojë dhe ta procedojë buxhetin në Kuvend deri në fund të tetorit, duke përfshirë kërkesat e komunave, agjencive dhe institucioneve kushtetuese,” tha Jakaj për Ekonomia Online.
Ai shtoi se mungesa e një qeverie të konstituuar do ta vendosë vendin në një situatë të paparashikuar ligjërisht, duke bllokuar implementimin e projekteve që duhet të nisin më 1 janar.
“Nëse nuk ka qeveri, atëherë nuk ka as mekanizëm për të negociuar, nënshkruar dhe ratifikuar marrëveshje ndërkombëtare, çka na përjashton nga planet e rritjes dhe fondet e huaja,” paralajmëroi ai.
Jakaj theksoi se pasojat nuk do të kufizohen vetëm në aspektin buxhetor. Sipas tij, bllokada institucionale po ndikon drejtpërdrejt edhe në politikën e jashtme dhe në procesin e dialogut me Serbinë.
“Aktualisht nuk kemi një ministri të jashtme me autorizime të plota për të zhvilluar dialog diplomatik dhe për të kërkuar njohje ndërkombëtare. Po ashtu, kemi ngecur me zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe anekseve të saj,” tha ai.
Paralajmërimi i KDI-së vjen në një moment kritik për Kosovën, ku vonesat në formimin e institucioneve po rrezikojnë jo vetëm funksionimin demokratik, por edhe stabilitetin ekonomik dhe kredibilitetin ndërkombëtar të vendit.