Serbia, shteti me shpenzimet më të larta ushtarake në Ballkanin Perëndimor

by engel

Serbia ka bërë shpenzimet më të mëdha për ushtrinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor gjatë pesë viteve të fundit, pavarësisht se zyrtarisht mban statusin e “neutralitetit ushtarak”.

Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), vetëm në vitin 2024, Beogradi ndau 2.2 miliardë dollarë për forcat e armatosura – shifër që përbën 2.6% të Bruto Produktit Vendor dhe është pesëfish më e lartë se ajo e Shqipërisë, anëtare e NATO-s dhe vendi i dytë në rajon për shpenzime ushtarake.

banner

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ka justifikuar blerjet e reja me “nevojën për të mos mbetur prapa fqinjëve”. Gjatë një vizite në Pekin, ku mori pjesë në një paradë ushtarake dhe u takua me presidentin kinez Xi Jinping, Vuçiq tha se Serbia po shqyrton blerje të reja nga Kina për nevojat e ushtrisë.

“Ne nuk do të sulmojmë askënd, por do të mbrojmë territorin dhe integritetin tonë. Serbia është faktor paqeje dhe stabiliteti”, deklaroi ai për mediat serbe.

Megjithatë, në disa raste, Vuçiq i ka cilësuar bashkëpunimet rajonale – si deklaratën e përbashkët për sigurinë mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë – si “aleanca të drejtuara kundër Serbisë”.

Serbia është e vetmja në Ballkanin Perëndimor pa aspirata për anëtarësim në NATO, ndërsa është e rrethuar nga vende të kësaj aleance. Marrëdhëniet me Kroacinë kanë mbetur të tensionuara, veçanërisht pas blerjes së avionëve luftarakë Rafale nga Zagrebi dhe më pas nga Beogradi.

“Kur Kroacia bleu Rafale, ishte lajm i mirë. Kur Serbia i bleu, ishte tragjedi. Ky është standardi i dyfishtë që po përjetohet”, tha Vuçiq në gusht 2024.

Sipas SIPRI-t, Serbia shpenzoi 700 milionë dollarë më shumë se Kroacia për ushtrinë në vitin 2024, duke ruajtur epërsinë në shpenzime edhe gjatë katër viteve pararendëse.

Përpara pushtimit rus të Ukrainës, Serbia mbështetej kryesisht në armatimin nga Rusia. Pas shkurtit 2022, Beogradi ndaloi blerjet e reja nga Moska, por nuk iu bashkua sanksioneve të BE-së dhe SHBA-së kundër Rusisë.

Në vitet e fundit, Serbia ka diversifikuar furnizimet duke iu drejtuar Kinës, prej nga bleu dronë luftarakë dhe sistemin raketor anti-ajror FK-3. Njëkohësisht, nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes me Hungarinë, anëtare e NATO-s, për të cilën Vuçiq shprehu shpresën se mund të shërbejë si bazë për një “aleancë të ardhshme ushtarake”./REL

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy