Një aksion i gjerë institucional ka zbuluar shkelje serioze të sigurisë në vendin e punës në sektorin e ndërtimit në komunat e Pejës, Klinës, Istogut dhe Deçanit.
Të premten, janë inspektuar 20 lokacione ku po ndërtoheshin objekte kolektive banimi, dhe si rezultat, janë mbyllur shtatë vendpunime për shkak të rrezikimit të jetës dhe shëndetit të punëtorëve.
Vendpunimet e mbyllura përfshijnë:
– 2 në qytetin e Pejës
– 3 në Istog
– 1 në Klinë
– 1 në Deçan
Personat përgjegjës nga kompanitë kontraktuese janë shoqëruar në stacionet policore për procedura të mëtejshme.
Aksioni u udhëhoq nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, Lumturije Vuçetaj, me mbështetjen e 9 prokurorëve të shtetit dhe 60 zyrtarëve policorë nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë.
Kontrolli zbuloi parregullsi në të gjitha lokacionet e inspektuara, duke përfshirë mungesën e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimin e sigurisë së punëtorëve dhe qytetarëve.
Në disa raste janë iniciuar procedura penale për veprën “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Institucionet relevante janë njoftuar për të ndërmarrë veprime ligjore dhe për të përpiluar raporte mbi lejet ndërtimore dhe punimet e kundërligjshme.
Sipas të dhënave të Prokurorisë Themelore të Pejës, gjatë periudhës janar–qershor 2025 janë regjistruar 19 raste të ngjashme, ku fatkeqësisht tre punëtorë kanë humbur jetën dhe 16 të tjerë kanë pësuar lëndime të rënda trupore në vendin e punës.
Ky aksion shënon një ndër ndërhyrjet më të mëdha për sigurinë në sektorin e ndërtimit dhe vë në pah nevojën urgjente për zbatimin rigoroz të standardeve ligjore dhe mbrojtjen e jetës së punëtorëve.