Futbollisti i Kosovës, Mërgim Vojvoda, ka thënë se skuadra është e përgatitur për t`u përballur me Suedinë.
Kosova të hënën do të përballet me Suedinë në kualifikimet për Botërorin 2026. Deri te kjo ndeshje vjen pas një humbje prej 4-0 nga Zvicra.
Vojvoda është shprehur se futbolli njeh edhe fitore, edhe barazim, edhe humbje, si dhe shpesh presioni vetëm për fitore është i pakuptueshëm.
“Ne e dimë që kemi humbur tri pikë. Ne kemi mundësi që ende të kualifikohemi dhe aq sa ka shanse, ne duhet të luftojmë. Kemi analizuar ndeshjen për të mos i bërë gabimet e njëjta. Nesër është një ndeshje e re dhe ajo shkon për synime të tjera. E dimë që Suedia ka cilësi dhe e dimë që ka shumë përvojë, por kryesorja është që të tregojmë se nesër jemi më të uritur se sa Suedia dhe kjo do të jetë pika kryesore e ndeshjes”, ka thënë Vojvoda.

