Gjendja e punëtorëve në sektorin privat të Kosovës po vlerësohet si alarmante. Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka deklaruar se me pagën mesatare prej 350 deri në 370 euro, punëtorët nuk arrijnë të mbulojnë as nevojat elementare të jetesës.
Në një prononcim për Ekonomia Online, Azemi tha se sipas standardeve ndërkombëtare paga e një punëtori duhet të mbulojë shpenzimet për një familje me katër anëtarë, por në Kosovë, sipas tij, një pagë e tillë nuk i mjafton as një individi.
“Kemi dy kategori të punëtorëve të sektorit privat. Disa punojnë direkt në menaxhimin e kompanive private, ku gjendja është paksa më stabile. Ndërsa më e rëndë është situata tek kompanitë që kryejnë shërbime për institucionet publike dhe komunale, ku pagat mesatare janë 350 deri në 370 euro. Me këtë shumë nuk mbulohen shpenzimet bazë, sidomos tani me fillimin e vitit shkollor dhe ardhjen e dimrit”, u shpreh Azemi.
Ai shtoi se punëtorët janë të detyruar të përballen me kosto të papërballueshme, duke theksuar se standardi i jetesës në vend është në përkeqësim të vazhdueshëm.