Lista Serbe ka akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për, siç thotë, “manipulim politik” në lidhje me përbërjen e këshillave të vendvotimeve për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.
Ky subjekt politik, i cili pretendon se përfaqëson komunitetin serb në Kosovë dhe gëzon mbështetjen e qeverisë së Serbisë, ka ngritur shqetësime edhe për uljen e numrit të votuesve në disa komuna me shumicë serbe në veri të vendit.
Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiç, tha në një konferencë për media se në Leposaviq janë rreth 1.500 votues më pak se në zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2025, ndërsa në Mitrovicën e Veriut rreth 1.200 më pak. Ai shtoi se në Graçanicë, për dallim nga komunat tjera, është regjistruar një rritje e ndjeshme e numrit të votuesve, me mbi 2.000 persona më shumë krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare.
“Është e qartë se kemi të bëjmë me një proces jo të barabartë dhe me përpjekje për të ndikuar politikisht në rezultatet e zgjedhjeve,” ka deklaruar Simiç, sipas raportimit të Radios Evropa e Lirë.
Lista Serbe ka njoftuar se ka dorëzuar një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar që të shqyrtohen parregullsitë që, sipas saj, kanë ndodhur gjatë përgatitjes dhe organizimit të procesit zgjedhor.