Deputeti i Lëvizjes Guxo, Haxhi Avdyli, ka drejtuar akuza të drejtpërdrejta ndaj opozitës për bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Në një intervistë për emisionin “DPT te Fidani”, Avdyli ka deklaruar se Kuvendi është tashmë i konstituar në të gjitha aspektet – juridik, politik dhe konstitucional – dhe se pengesat aktuale janë të motivuara politikisht.
“Është absurde të thuhet se Kuvendi nuk është i konstituar kur kemi kryetarin dhe katër nënkryetarë,” tha Avdyli, duke shtuar se vendi i rezervuar për komunitetin serb mbetet i hapur, por nënkryetari i tyre do të ulet vetëm kur të sigurojë votat e nevojshme. Ai theksoi se pas sulmit në Banjskë dhe sabotimeve të vazhdueshme nga Lista Serbe, kjo e fundit “nuk e ka më vendin aty”.
Ai kritikoi opozitën për edhe refuzimin e propozimeve të mazhorancës për kryetarin e Kuvendit, duke theksuar se më në fund është gjetur një zgjidhje, por tani nuk kuptohet arsyeja e bllokimit për kandidaturën e nënkryetarit të kuvendit, përse po insistojnë për Sllavko Simiqit. Përse kanë ngulur këmbë për këtë njeri dhe nuk e votojnë Nenad Rashiqin si alternativë!
Çështja e emërimit të nënkryetarëve të Kuvendit, veçanërisht për komunitetet jo-shumicë, mbetet e ndjeshme dhe është aktualisht objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese.

