Në ditën e dytë të konferencës së ambasadorëve “Prioritetet ekonomike të Shqipërisë dhe projektet kyçe”, zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka prezantuar një projekt strategjik për prodhimin e energjisë së gjelbër në Tropojë, që pritet të jetë një nga më të mëdhenjtë në Evropë.
Balluku bëri të ditur se në muajt në vijim do të nisë ndërtimi i një parku të erës në zonën e Tropojës, me financim nga një prej kompanive më të mëdha amerikane. Projekti ka hyrë në fazën e autorizimeve dhe synon të shtojë një komponent të ri në kurorën energjetike të vendit.
“Ky është një nga projektet më të mëdha në Evropë për prodhimin energjetik eolik,” deklaroi ajo.
Ministrja theksoi se Shqipëria po kalon nga një sistem energjetik i mbështetur kryesisht në hidrocentrale, drejt një portofoli të diversifikuar me burime të rinovueshme. Në gjashtë vitet e fundit, kapaciteti prodhues nga energjia diellore është rritur me 30%, falë investimeve në panele dhe parqe fotovoltaike.
Balluku e cilësoi projektin si një dëshmi të angazhimit të Shqipërisë për të mos ndjekur thjesht një tranzicion të gjelbër, por për të ndërtuar një sistem energjetik të qëndrueshëm dhe të integruar. Ajo u bëri thirrje ambasadorëve të angazhohen si promotorë të zhvillimit ekonomik dhe të ndihmojnë në tërheqjen e investimeve të huaja strategjike.
Ky projekt pritet të ketë ndikim të ndjeshëm jo vetëm në sektorin energjetik, por edhe në zhvillimin ekonomik të rajonit verior të vendit, duke e pozicionuar Tropojën si një pikë kyçe në hartën energjetike të Evropës.