Në Tiranë po zhvillohet dita e dytë e konferencës së ambasadorëve “Diplo 2025 – Shqipëria 2030: në Evropë, e ndërlidhur me botën”, ku diplomatë shqiptarë të akredituar jashtë vendit dhe ekspertë vendas e ndërkombëtarë diskutojnë për integrimin evropian, diplomacinë ekonomike si dhe çështjet e sigurisë rajonale e globale.
Në fjalën e saj, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherësh zëvendëskryeministre, Belinda Balluku, u shpreh se Shqipëria ndodhet në një moment historik dhe shumë afër realizimit të qëllimit strategjik – anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Sot ndodhemi në një moment të rëndësishëm historik për vendin. Shqipëria, e ulur prej kohësh në tryezën e negociatave, është vetëm një hap larg nga ëndrra e saj e madhe, që tashmë nuk ka nevojë të quhet ëndërr. Po flasim për një realitet të prekshëm, dhe çdo ditë e më shumë dëgjojmë nga funksionarë të lartë të BE-së se jemi afër datës së anëtarësimit,” – theksoi Balluku.
Ajo shtoi se ky proces kërkon angazhim të përbashkët në fusha që variojnë nga diplomacia deri te investimet në energjinë e rinovueshme, duke theksuar se Shqipëria ka sot një ekonomi të qëndrueshme dhe është shndërruar në një destinacion atraktiv për kompanitë e mëdha ndërkombëtare.
Balluku theksoi gjithashtu rëndësinë e projekteve strategjike që, sipas saj, nuk ndikojnë vetëm në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, por edhe në forcimin e ndërlidhjes së Ballkanit Perëndimor.
“Duke pasur parasysh pozicionin tonë gjeografik, Shqipëria është një portë hyrëse mes Italisë dhe Greqisë në Bashkimin Evropian,” u shpreh zëvendëskryeministrja.
Konferenca e ambasadorëve “Diplo 2025” pritet të vijojë me sesione të tjera mbi diplomacinë digjitale, tranzicionin energjetik dhe rolin e Shqipërisë në arkitekturën e sigurisë rajonale.

