Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përfunduar me sukses një nga trajnimet më sfiduese të këtij viti: “Mbijetesa në ujë”, i zhvilluar në Qendrën Ndërkombëtare Trajnuese për Kërkim-Shpëtim të Gardës Kombëtare.
Ky trajnim i specializuar synon të përgatisë pjesëtarët e FSK-së për përballje me situata të ndërlikuara në mjedise ujore, duke ndërtuar aftësi të avancuara për operacione taktike dhe shpëtimi. Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi se qëllimi kryesor ishte përgatitja profesionale e pjesëtarëve si në nivel individual, ashtu edhe ekipor.
Gjatë trajnimit, pjesëtarët u aftësuan në: Teknikat e mbijetesës në ujë në kushte të vështira; Notin taktik për operacione të fshehta dhe shpëtimi; Improvizimin e mjeteve për mbijetesë në zona ujore; Krijimin e strukturave për kalimin e zonave të rrezikshme ujore
Në një postim në Facebook, Maqedonci ndau fotografi nga trajnimi dhe vlerësoi angazhimin e pjesëtarëve të FSK-së si dëshmi e përkushtimit për ngritjen e kapaciteteve operacionale të forcës.
“Ky trajnim është pjesë e vizionit tonë për një FSK të gatshme të përballojë çdo sfidë, në çdo terren,” shkroi ai.

