Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të hënën mbrëma në Prishtinë, ku një burrë është gjetur i pajetë. Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30, ndërsa ekipi mjekësor që doli në vendin e ngjarjes konstatoi se viktima kishte ndërruar jetë.
Në vendngjarje kanë intervenuar njësitë policore dhe prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet për obduksion, në mënyrë që të sqarohen rrethanat e vdekjes.
“Prishtinë / 08.09.2025 – 20:30. Raportohet se është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore ka dalë edhe prokurori, i cili ka urdhëruar që të inicohet rasti dhe trupi i pajetë të dërgohet në obduksion. Rasti po hetohet nga ekipet relevante policore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e vdekjes së viktimës.

